Kërcënimet e mbrëmshme të noteres Anila Haxhiu ndaj gazetares së emisionit “Stop” Odeta Gjevori janë alarmante për sigurinë e gazetarëve në Shqipëri. AGSH dënon ashpër intimidimin ndaj koleges dhe e cilëson këtë rast një kambanë alarmi për sigurinë e gazetarëve. Është e papranueshme që një fuksionare publike të ketë këtë qasje ndaj medias, dhe të mos ketë reflektim prej noteres, e cila, më herët, është paditur nga gazetarja pasi gjatë ushtrimit të detyrës është dhunuar nga noterja.
AGSH e konsideron edhe më alarmant faktin kur deklarimet kërcënuese “o unë, o ti në këtë botë” janë bërë në sallën e gjykatës, në prani të prokurores së çështjes dhe avokates së të paditurës. Mos reagimi institucional vetëm sa frymëzon më shumë akte vandale ndaj gazetarëve. Asocacioni i Gazetarëve të Shqipërisë i kërkon Policisë dhe Prokurorisë të marrë masa të menjëhershme. Ne i shprehim solidaritet dhe mbështetje të plotë koleges sonë Odeta Gjevori dhe i bëjmë thirrje organeve të drejtësisë të veprojë pa vonesa dhe me efikasitet në të gjitha rastet kur punonjës të medias denoncojnë raste të cënimit të sigurisë së tyre.