Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh shqetësimin për Pandinë Penale ndaj gazetares Afrovita Hysaj menaxhere e faqes satirike në Facebook “Disidentët” të bërë nga Deputetja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë Pranvera Resulaj, përfaqësuese e Partisë Socialiste.
Resulaj ka ngritur pretendimet në Gjykatë duke ju referuar Kodit Penal dhe kërkon dënimin e Hysajt për shkak të opinioneve dhe kritikave të saj.
Është absolutisht shqetësuese se në një postim në rrjetin social Facebook deputetja Resulaj publikon edhe të dhënat personale të gazetares.
Satira, kritika dhe opinionet nuk mund dhe nuk duhet të jenë vepër penale dhe gazetarët nuk mund të përballen penalisht për to.
Përdorimi i satirës në gazetari është plotësisht formë legjitime e shprehjes. Humori dhe satira, të mbrojtura nga neni i 10 i Konventës, i lejon medias të teproj dhe madje të provokojë, përderisa ato nuk çorientojnë publikun.
Zyrtarët e lartë duhet ta dinë se për shkak të pozicionit të tyre ata do të përballen me kritika, satirë dhe një kontroll të shtuar ndaj çdo aktivitetit të tyre.
Ne solidarizohemi me drejtuesen e faqes satirike “Disidentët” ndërsa i bëjmë thirrje Deputetes Resulaj të tërhiqet nga kjo padi që synon qartazi heshtjen e Hysajt.