Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë është tepër i alarmuar për veprimet e Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar Alfred Peza dhe Policisë së Shtetit, në raport me të paktën 5 ish-punonjës të RTSH-së.
Ish-punonjësit kanë denoncuar se në dy ditët e fundit janë thirrur në Policinë e Tiranës, ku janë marrë në pyetje dhe u janë kontrolluar telefonat celularë për shkak të një kallëzimi të bërë nga Z.Peza për “prishje imazhi”.
Pyetja e punonjësve dhe kontrolli i aparateve celularë është një akt i rëndë që synon frikësimin, intimidimin dhe heshtjen e tyre nën sfondin kur këta të fundit, kanë folur hapur për shkarkimet masive dhe të padrejta të Alfred Pezës.
AGSH i kërkon në mënyrë urgjente Policisë së Shtetit që të ndërpresë këtë praktikë abuzive dhe të sqarojë menjëherë rrethant e ngjarjes.
AGSH kërkon nga z. Peza të tërhiqet në mënyrë të menjëhershme nga këto praktika që synojnë frikësimin e ish-punonjësve të shkarkuar.
Ne jemi duke e ndjekur nga afër këtë situatë dhe do të mbajmë të informuar edhe organizatat partnere ndërkombëtare.