Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dëshmoi sot me keqardhje deklarata kërcënuese të bëra nga Kryetari i Partisë Demokratike z. Sali Berisha në drejtim të gazetarëve të cilët raportojnë mbi dosjen e tij hetimore.
Etiketimet “Jeni të kapur nga SKAP-i Partisë” dhe shantazhet “do t’ju trajtoj si organizatë kriminale” janë të papranueshme.
AGSH i kërkon zotit Berisha të vetëpërmbahet, të ndalë sulmet ndaj gazetarëve dhe të lejojë që ata të raportojnë lirshëm procesin penal ndaj tij, familjarëve të tij, të lidhurit me ta, njëlloj si çdo proces tjetër.
Kjo është krejt e kundërta që ne dhe kolegët tanë presim nga një ish-kryeministër i cili duhet të luftojë për fjalën e lirë.
I kujtojmë zotit Berisha se fjalët e tij kërcënuese ndaj medias janë një mesazh i keq dhe i rrezikshëm të dala nga goja e liderit të opozitës.
Në inkurajojmë kolegët tanë të vijojnë të mbulojnë me profesionalizëm çdo çështje.