Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë u ka dërguar një letër organizatave greke të medias dhe ka vënë në dijeni edhe organizatat ndërkombëtare në lidhje me skandalin në kufirin grek të datës 2 nëntor 2024 ku grupet e xhirimit të Tv Klan dhe A2Cnn u mbajtën për orë të tëra të bllokuar në një incident tepër shqetësues.
Letra e Plotë:
Drejtuar: Journalists’ Union of Athens Daily Newspapers – JUADN
Journalists’ Union of Macedonia and Thrace Daily Newspapers
Panhellenic Federation of Journalists’ Union – PFJU
Union of Magazine and Electronic Press Journalists (ESPIT)
Për dijeni: International Federation of Journalist
European Federation of Journalist
Safe Journalist
Të nderuar kolegë
Me datën 2 nëntor 2024 në pikën kufitare të Kapshticës mes Shqipërisë dhe Greqisë dy grupe xhirimi të televizionit Kombëtar Tv Klan dhe A2Cnn janë ndaluar nga autoritetet greke për më shumë se 3 orë.
Ata janë bllokuar në pikën kufitare, ndërsa atyre u janë marrë pasaportat për disa orë në një rast të paprecedentë.
Ndalimi ka qenë i paarsyetuar dhe për ne skandaloz që minon vlerat e Bashkimit Europian më të cilin Greqia është anëtar.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka shprehur shqetësimin e thellë për këtë ngjarje ndërsa ne kemi bërë thirrje që mosmarrëveshjet politike mes dy vendeve tona të ndikojnë në vlerat themelore mbi të cilat ngrihet demokracia.
Të nderuar kolegë,
Përmes kësaj letre ne duam që ju si organizata vendase të ushtroni presionin tuaj mbi autoritetet greke jo vetëm për të sqaruar në mënyrë të detajuar ngjarjen, por të siguroheni që episode të tilla skandaloze të mos përsëriten më në të ardhmen.
Ashtu si ju, ne besojmë se liria e medias dhe siguria e gazetarëve është e rëndësishme jo vetëm në vendet tona por anembanë globit.
As gazetarët shqiptarë dhe as kolegët tanë grekë nuk mund dhe nuk duhet të ndihen të frikësuar për të ndjekur ngjarje dhe raportuar nëpër vendet përkatëse.
Duke shpresuar se do ta ndiqni këtë ngjarje të rëndë me prioritet ne shpresojmë në bashkëpunimin tuaj jo vetëm në këtë rast por edhe në të ardhmen.
Me Respekt
Kryetar i AGSH
Isa Myzyraj