Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë është i alarmuar mbi kërkesën e deputetit socialist Erion Braçe ndaj prokurorisë për të nisur hetimet ndaj mediave.
Ditën e sotme, më datë 4 dhjetor 2024, kryetari i Komisionit të Posaçëm “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”, deputeti socialist Erion Braçe ka thënë në një deklaratë për mediat se i ka kërkuar prokurorisë nisjen e hetimeve në lidhje me raportimet e mediave për vrasjen e një 14-vjeçari pranë një shkolle në Tiranë.
Kërkesat ndaj prokurorisë të Z.Braçe janë tronditëse, pasi tregojnë qartë se komisioni i shtuquajtur “kundër dezinformimit” është një mjet që do të përdoret kundër mediave.
Ne kërkojmë me urgjencë nga Z.Braçe të tërheqë thirrjet e tij për hetimin ndaj mediave dhe gazetarëve për rastet e caktuara, pasi kjo është nisja e një fushate shqetësuese ndaj lirisë së gazetarëve.
Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë që të distancohen nga kjo thirrje e një deputeti, ndërsa do të informojmë menjëherë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë në lidhje me këtë situatë shqetësuese.