Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë është informuar mbi vendimet arbitrare të Radio Televizionit Shqiptar në lidhje me punonjësit e departamentit të Informacionit.
Së fundmi, drejtoresha në detyrë, Aurora Polo, në kundërshtim me Statutin e RTSH dhe Kodin e Punës, ka ulur në detyrë pa një arsyetim kryeredaktorin e lajmeve të RTSH1, Olsjan Laskaj. Ky veprim ka shkaktuar largimin e tij nga puna, pasi i është shkaktuar dëm moral dhe financiar.
Teksa gara për drejtuesin e ri të Radio Televizionit Publik Shqiptar është përmbyllur dhe Këshilli Drejtues pritet të zgjedhë Drejtorin e Përgjithshëm të Televizionit, AGSH dënon çdo veprim abuziv të drejtuesve në detyrë të RTSH.
Ne i bëjmë thirrje organeve të RTSH që të rishikojnë vendimin e Drejtoreshës së Përgjithshme në detyrë në lidhje me ish-kryeredaktorin Olsjan Laskaj.
Ne inkurajojmë organet drejtuese që të zbatojnë ligjin dhe të mos lejojnë asnjë shkelje, veçanërisht në këtë periudhë tranzicioni deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri të televizionit.