Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh shqetësimin e thellë për zhvillimet e fundit në procesin e zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH).
Pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të datës 27 Janar 2025 u konstatuan paraprakisht shkelje ligjore dhe proceduriale.
Këshilli Drejtues ka dështuar të respektojë ligjin për mediat audiovizive dhe statutin e RTSH-së, duke mos zhvilluar një diskutim të plotë dhe të detajuar mbi kriteret e kandidatëve.
Ky veprim ka dëmtuar integritetin e procesit, pasi nuk janë verifikuar në mënyrë të hollësishme CV-të e kandidatëve.
Më shqetësues është fakti që një anëtar i Këshillit, sipas mediave, ndodhej jashtë vendit, u lejua të votojë online, duke shkelur parimin e anonimatit të votimit dhe duke e bërë atë të parregullt.
Ky veprim është një shkelje e qartë ligjore dhe mund të jetë një arsye për të shpallur të pavlefshëm të gjithë procesin.
Gjithashtu kandidatë të tjerë nuk janë përfshirë fare në votim, çka ka cenuar parimin e barazisë.
Aktet ligjore jane të qarta: skualifikimi mund të ndodhë vetëm kur një kandidat nuk plotëson kriteret ligjore, dhe jo për shkak të vendimeve subjektive të anëtarëve të Këshillit.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë kërkon që ky proces të rivlerësohet në përputhje me ligjin dhe të gjitha shkeljet e konstatuara të korrigjohen.
RTSH-ja duhet të drejtohet nga një drejtues që ka përmbushur kriteret dhe që gëzon besimin e publikut dhe të gjithë aktorëve të fushës mediatike. AGSH do të monitorojë me kujdes zhvillimet dhe do të angazhohemi për ruajtjen e integritetit të medias publike në Shqipëri.