Tiranë, 6 Mars 2025
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon vendimin e qeverisë shqiptare për të mbyllur rrjetin social TikTok, një hap ekstrem dhe i pajustifikuar që cënon lirinë e shprehjes dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.
AGSH e ka ngritur më herët shqetësimin për fenomenet negative në rrjetet sociale, si gjuha e urrejtjes dhe dezinformimi. Megjithatë, zgjidhja nuk mund të jetë mbyllja arbitrare e një platforme të tërë, por përmirësimi i politikave rregullatore dhe edukimi mbi përdorimin e sigurt të mediave sociale.
Ky vendim krijon një precedent të rrezikshëm dhe e afron Shqipërinë me regjime autoritare që kufizojnë lirinë e fjalës përmes censurës digjitale. Mbyllja e një rrjeti social të përdorur gjerësisht nga qytetarët, bizneset dhe gazetarët dëmton rëndë pluralizmin mediatik dhe të drejtën për të komunikuar lirshëm.
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka konstatuar në disa raste se ndalimi i plotë i platformave online bie ndesh me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Shqipëria, si një vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Europian, duhet të respektojë këto standarde dhe të mos ndërmarrë hapa që e izolojnë nga vlerat demokratike.
AGSH do të ndërmarrë hapa ligjorë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për ta sfiduar këtë akt, fillimisht në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë.