Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë është tepër i shqetësuar mbi sulmet mediatike ndaj organizatave të medias në vend.
Së fundmi Qendra për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim dhe drejtuesja e saj Blerjana Bino, si dhe Këshilli Shqiptar i Medias me drejtor Koloreto Cukali janë duke u përballur me një sulm të paprecedentë nga portale online.
Këto sulme janë të motivuara ekskluzivisht nga puna e palodhur e organizatave në fjalë të cilat dokumentojnë, raportojnë dhe reagojnë për sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve.
Ne solidarizohem dhe i qëndrojmë në krah kolegëve tanë nga Scidev dhe KSHM ndërsa shprehim vlerësim maksimal për punën e tyre.
Ne u bëjmë thirrje mediave për të ndalur menjëherë sulmet ndaj organizatave dhe drejtuesve të tyre.
Ne kërkojmë zbatimin e etikës gazetareske për secilin gazetar dhe secilën media në vend.
Mbrojtësit e gazetarëve dhe mediave përballen vazhdimisht me sulme dhe intimidime nga një sërë aktorësh dhe është tërësisht e papranueshme që ato të përballen edhe me sulme nga vetë mediat.