Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon sulmet dhe fushatën e shpifjeve dhe fyerjeve ndaj gazetares dhe moderatores Eni Vasili.
Artikulli i portalit “Pamfleti” është një shembull i qartë i fushatës së shpifjes e cila përdor një gjuhë denigruese dhe të pasaktë për të njollosur figurën e gazetarit.
Të tilla përpjekje për të diskredituar individë në fushën e medias dhe jashtë saj nuk ndihmojnë në ngritjen e cilësisë së informacionit dhe nuk kanë vend në një shoqëri demokratike, ku liria e shprehjes dhe ndershmëria profesionale janë të shenjta.
Ne, si Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, i bëjmë thirrje çdo media të veprojë me përgjegjësi dhe profesionalizëm, dhe t’u ofrojë të gjithë individëve mundësinë për t’u shprehur në mënyrë të drejtë dhe të ndershme, pa i përdorur ata për agjenda personale ose politike. Rruga për një media të fortë dhe të besueshme është e mbushur me respekt për standardet e etikës gazetareske dhe për të drejtat e individëve.
AGSH mbetet e angazhuar për të mbrojtur gazetarët dhe profesionin e medias, duke siguruar që ata të kenë mundësinë të punojnë në një mjedis të sigurt, të mbrojtur nga sulmet dhe të mbështetur nga komuniteti i gazetarisë për të përmbushur rolin e tyre të rëndësishëm në shoqëri.