Ne, disa reporterë të medias në Shqipëri,
Të përkushtuar për të ushtruar gazetari cilësore dhe të pavarur,
Të sfiduar në mënyra të ndryshme e të vazhdueshme nga pengesa keqdashëse në ushtrimin e misionit tonë,
Të motivuar për të përmirësuar cilësinë e mjedisit mediatik dhe kushtet për komunitetin e punjonjësve të medias në tërren,
Të vetëdijshëm se edhe kolegë të tjerë kanë punuar apo punojnë në fushën e mbrotjes së të drejtave të gazetarëve,
Por në mungesë të një aleance konkrete e të drejtpërdrejtë të reporterëve dhe punonjësve të medias në terren,
Me dëshirën për të kontribuar për fuqizimin e këtij komuniteti, shpallim sot krijimin e Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, AGSH.
Ne jemi një grup i vogël nismëtarësh të mbështetur nga dhjetra kolegë me të cilët bashkëndajmë në terren të njëjtat sfida dhe vështirësi.
Ne e nisim sot këtë rrugë, duke dëshiruar që të grupohemi, të gjithë, të barabartë e të ndryshëm.
Ne duam të jemi zëri dhe fuqia e njëri-tjetrit.
Ne ju shtrijmë dorën e bashkëpunimit të gjithë punonjësve të medias anembanë vendit dhe i ftojmë të bashkohemi për të bërë fuqinë.